Vedat Ademi: Këngëtarët në Shqipëri nuk lodhen shumë, tekste të përsëritura, sillen vërdallë me bashkëpunime të njëjta
Vedat Ademi është një nga këngëtarët më seriozë të muzikës shqiptare. Edhe pse prej 7 vjetësh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ka munguar me projekte muzikore për publikun shqiptar. Në daljet e tij të rralla në media, Ademi ishte në një intervistë në emisionin “Në radio” të gazetarit Andri Xhahu, ku foli për jetën në Amerikë dhe për tregun muzikor shqiptar.
Periudhën e verës, Vedat Ademi bashkë me familjen, zgjedh të qëndrojë në Shqipëri. “Nga fundi i qershorit deri në fillim të shtatorit e kaloj në Shqipëri bashkë me familjen, e shfrytëzoj këtë kohë për të takuar familjarë, për pak pushime si dhe për të punuar.”
Në 20 vite karrierë, këngëtari i ka qëndruar besnik stilit të tij muzikor. “Ndiej një lloj detyrimi ndaj vetes që të vazhdoj ta përfaqësoj veten po njësoj dhe të bëj atë që vërtet dua të bëj. Po kështu të përfaqësoj atë publik që ka të njëjtën shije muzikore me Vedatin. Pavarësisht se mund të jetë më i vogël në numër, unë jam në rregull me këtë. Nuk them të mos eksperimentosh, por brenda kuadrit tënd.”
Megjithatë, në distancë është më e vështirë për të kuptuar se çfarë kërkon publiku shqiptar. “Unë dalloj në shije muzikore. Pëlqej këngë që mund të jenë jo të zakonshme për publikun shqiptar. Fakti që jetoj në Amerikë ma bën pak më të vështirë të jem vazhdimisht në treg. Edhe pse teknologjia të ndihmon, prap mundohem të ndjek dhe të shoh ato që vërtet pëlqej dhe muzikën që më ngop mua. Kur je larg nuk është aq e lehtë të shohësh se çfarë do publiku.”
Aq sa ka mundur të vëzhgojë, Ademi shprehet se muzika shqiptare ka nevojë për emocione dhe mesazhe të rëndësishme. “Muzika nuk është vetëm ritëm e të kërcesh. Ka ndjeshmëri. Shoqëria jonë nuk ka nevojë vetëm për gaz dhe hare. Shopëria jonë ka shumë probleme sociale. Dhe kjo mania për të bërë vetëm hite vere nuk më pëlqen. Materialet e shpeshta nuk kanë cilësi ose mund të jenë të përsëritura. Edhe pse nuk më pëlqen të bëj kompetentin, në Shqipëri mendoj se nuk lodhen shumë, thjesht një ‘beat’, tekste të përsëritura dhe kaq. Infektohen nga njëri-tjetri, sillen vërdallë me bashkëpunime të njëjta dhe nuk japin ndonjë gjë. Vitet e fundit nuk ka një këngë që më impresionon, një këngë të bukur që ka një tekst që të rrëqethë dhe që të të japë emocion.”
I pyetur nëse ka menduar të marrë pjesë në Festivalin e Këngës në RTSH, këngëtari shprehet: “Kam dëshirë sepse festivalet kanë qenë trampolinë për mua dhe kanë qenë suksesi im. Por duhet një material që më përfaqëson mua dhe Shqipërinë.” Pas këmbënguljes së Andrit për një përgjigje më konkrete, Vedati tha: “Do ta kem parasysh, do ulem dhe do ta mendoj seriozisht.”