Vaçe Zela, Diva e muzikës shqiptare

Fakte interesante rreth këngëtares së madhe shqiptare VAÇE ZELA
1- Vaçe Zela ka lindur në 7 prill 1939 në Lushnjë dhe ka vdekur në 6 shkurt të vitit 2014. Ajo e filloi karrierën e saj në moshë të re dhe në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës.
2- Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave.
3- “Kur ishte 13 vjeçe, Vaçja mbrëmjeve merrte kitarën dhe ulej poshtë një ulliri para shtëpisë së saj. Aty këndonte derisa gjyshja i dilte dhe i thoshte: ‘Ç’e ke këtë zë të bukur moj bijë?! Por po na lë pa gjumë’”.
4- “Vaçja ka jetuar në Lushnjë që në moshën 14-15-vjeçare e më pas u largua për në Tiranë që të ndiqte shkollën e mesme. Kjo do të ishte dhe shkëputja e madhe e saj nga Lushnja. Në atë periudhë mori pjesë në një koncert në Kinë, ku zëri i saj bëri menjëherë jehonë. Prej atij momenti karriera e saj mori hov dhe i gjithë aktiviteti u përqëndrua në Tiranë”, tregojnë kushërinjtë e Vaçes.
5- Vaçe Zela është fituese 12 herë e Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar. Iu dha titulli “Artist i Merituar” në vitin 1973 dhe “Artist i Popullit” në vitin 1977. Ka kënduar për herë të fundit në skenën e Festivalit të RTSH-së në vitin 1980 dhe u largua përfundimisht prej skenës në vitin 1992.
6- Të parët që zbuluan talentin e Vaçes ishin mësuesit e shkollës 7-vjeçare në Lushnjë. Provoi të studionte në Liceun Artistik, por pa mundur. Ndoqi gjimnazin “Qemal Stafa”, por talenti i saj shpejt do të binte në sy. U emërua fillimisht këngëtare në Estradën e Ushtrisë, më pas në atë të Shtetit dhe së fundmi në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore.