Shpallet fitues në Itali / Artur Vera, zëri më i mirë lirik mes 180 të rinjve

Shpallet fitues në Itali / Artur Vera, zëri më i mirë lirik mes 180 të rinjve

Baritoni Artur Vera është shpallur fitues i edicionit të 77-të të konkursit për këngëtarët e rinj lirikë “Comunità Europea” mbajtur në Spoleto të Italisë. Juria, me president soprano e njohur Katia Ricciarelli vlerësoi si më të mirët mes 180 këngëtarëve, baritonin Artur Vera dhe sopranon Suada Gjergji.

I ftuar në emisionin “Në radio”, që transmetohet në Radio Tirana 1, Vera tregon se çfarë do të thotë ky vlerësim për të. Është përfundimi i një pune të madhe. Është vlerësim por edhe një lloj përballjeje me veten, se ku je në krahasim me artistët e tjerë, me nivelin që ekziston jashtë Shqipërisë.”

Baritoni u bë pjesë e këtij konkursi pas një përzgjedhjeje në Shqipëri. “Juria e konkursit të Spoletos erdhi në Universitetin e Arteve në Tiranë ku u bënë audicione për të gjithë të rinjtë e Ballkanit. Aty u përzgjodhën tre këngëtarë.”

25-vjeçori u prezantua me pesë arie dhe një rol të plotë nga një opera. “Unë u paraqita me ariet e Bel Canto-s, të një periudhe romantike, pasi më qëndrojnë më mirë me vokalin.”

Ky çmim i hap rrugën bashkëpunimeve të baritonit shqiptar me teatrin e Spoleto-s. “Për ne fituesit, teatri atje ofron një bashkëpunim për stinën koncertore dhe kalendarin artistik të tij për vitin 2023, pra që të përfshihemi në veprat që ata do të vendosin në skenë.”

Radio