Sheyda Do’a: “Shqipëria, atdheu im”
E ftuar në emisionin “Në radio”, artistja Sheyda Do’a ndau me dëgjuesit e Radio Tirana 1 historinë e veçantë të jetës së saj. Edhe pse ka jetuar në Shqipëri, Sheyda, që do të thotë “e apasionuar pas Zotit” në gjuhën iraniane, nuk ka origjinë shqiptare. “Prindërit e mi kanë ardhur në Shqipëri në vitin 1991 si pjesë e fesë Baha’i. Ky besim ka si qëllim krijimin e unitetit në botë dhe prindërit e mi erdhën me këtë mision. Kanë jetuar në Gjermani dhe Itali, ndërsa me origjinë janë nga Irani.”
Një vit më pas do të vinte në jetë Sheyda e cila për 17 vite ka jetuar në Tiranë. Ajo do të largohej për të studiuar në Çeki dhe në Oxford, Angli. Aktualisht jeton në Washington DC ku studion për matematikë dhe merr mësime muzike. Po ku bashkohen këto dy pasione? “Muzika dhe matematika kanë shumë lidhje bashkë. Ajnshtajni, për shembull, i binte violinës. Ka shkenctarë që janë marrë me muzikë. Lidhja mes tyre është logjika.”
Sheyda është këngëtare por luan edhe piano e kitarë, talent që e ka të trashëguar nga e ëma. “Mami është pianiste, ka studiuar në konservatorin e Berlinit. Kur isha e vogël më këndonte gjatë gjithë kohës.”
28 vjeçarja vetëm pak ditë më parë realizoi një koncert recital me këngë shqiptare dhe të huaja, që u transmetuar në ekranin e RTSH1. “Qëllimi im është të marr këngë nga vende të ndryshme dhe t’i bashkoj në një koncept të ri. Po kështu edhe këngët shqiptare në mënyrë që Shqipërinë dhe këngën e bukur shqiptare ta njohin deri në Amerikë apo dhe vende të ndryshme. Dua ta marr këtë dashuri për atdheun tim.”