Orgesa Zaimi prezanton këngën e re dedikim për bashkëshortin: Mentori, muzika e ditëve të mia
Këngëtarja Orgesa Zaimi sapo është prezantuar me projektin e ri muzikor “Je”. Në një intervistë për gazetarin Andri Xhahu në emisionin “Në radio”, Zaimi zbuloi se kënga është një dedikim për bashkëshortin e saj. “Pasi i bëra dedikimin dhe kënga u lançua, Mentori më tha: ‘O grua, ma bëre borxh’.”
Orgesa tregon se me Mentorin kanë 16 vjet që janë bashkë edhe pse janë njohur shumë më herët. “Mentori më njeh që kur isha 17 vjeçe. Është një njohje graduale dhe me hapa të sigurtë. Është i vetmi njeri që më njeh në të 360 gradët e mia. Lidhja jonë është konsoliduar pas dy fëmijëve tanë. Gjithë kjo jetë e kaluar bashkë. Kemi investuar shumë për të qenë këtu ku jemi.”
Kënga është kompozuar nga Kledi Bahiti ndërsa tekstin e ka shkruar vetë Orgesa. “Erdhi shumë i sinqertë si dedikim. Flas me fjalë të thjeshta dhe shumë të ndjera për dashurinë time për Mentorin sepse ai është realisht muzika e ditëvë të mia. Shpresoj të gjithë ta gjejnë veten në këtë këngë dhe t’ia dedikojnë gjysmës së tyre. Dashuria është një ndjenjë pa të cilën njeriu nuk mund të rrijë dot.”
E pyetur se si e kanë pritur fëmijët këngën, Zaimi tregon se ata janë kritikët më të mëdhenj. “Kur dëgjuan fjalët ‘gjysma ime’ ata thanë: ‘Ah po, është për babin, se babi është gjysma jote.’ E kërcejnë këtë këngë dhe më mbështesin shumë në formën e tyre fëminore dhe të sinqertë.”