Në familjen time politika është tabu, Mimi Kodheli për emisionin "Në radio": Për herë të fundit kam qarë dje
Mimi Kodheli, ish-ministre e Mbrojtjes, aktualisht kryetare e Komisionit për Politikën e Jashtme, erdhi në një rrëfim të veçantë në emisionin “Në radio” të gazetarit Andri Xhahu. Me nostalgji ajo kujtoi vizitën e parë në mjediset e Radio Tiranës kur ishte fëmijë. “Daton më shumë se gjysmë shekulli vizita ime në këtë ndërtesë. Babai im ka punuar prej shumë vitesh në radion e jashtme. Madje është njohur me mamanë time në Radio Tirana, në ndërtesën e rrugës së Kavajës. Babai im asokohe fliste bullgarisht ndërsa nëna ime rusisht, për shkak se kishin ardhur nga studimet që kishin kryer në këto vende. Më pas erdhën në godinën që është sot. Filloren e kam bërë në shkollën “Kosova”, kështu që kur kthehesha nga shkolla bëja një ndalesë në studion e regjistrimit dhe pastaj shkoja në shtëpi.”
Kodheli e kujton Radio Tiranën si një institucion ku punonin intelektualë. “Kjo ishte një ndërtesë njerëzish të ditur dhe të shkolluar kryesisht jashtë, që dinin të shkruanin, të redaktonin dhe të flisnin, përtej të gjithë kufizimeve ideore të asaj epoke. Ndihej që kishte një tis intelektualizmi dhe kjo të bënte të ndiheshe një qytetar i mirë ku t’i mund të flisje me njerëz të mirëshkolluar dhe të mirëedukuar. Le këtë ndjesi të mirë edhe sot. Uroj shumë që radioja të marrë vendin që meriton.”
E pyetur nëse ka një histori që fshihet pas emrit të saj të veçantë, Kodheli tregon se emri saj vjen nga pjesa “Si, mi chiamano Mimi” të operës “La boheme” të Giacomo Puccini-t. “Babai im ishte një njohës i mirë i muzikës klasike, pa studiuar muzikë. E dashuronte atë marrëzisht. Kishte vesh të mirë dhe fakti që dinte shumë gjuhë mbase e ndihmonte. Ndër ithtarët e tij ishte Puccini. Në momentin që unë kam lindur akoma lejohej që mund t’u vije fëmijëve emra pak të veçantë.”
Kodheli rrëfen se cili është mësimi më i madh që i kanë dhënë prindërit. “Të jesh punëtor dhe i ndershëm për t’ia mbërritur në këtë jetë. Duket një gjë e pamundur sot ose një perifrazim gati patetik. Por nuk e gjykoj të tillë. Unë besoj që po të jesh një njeri që di të punosh me zemër dhe të jesh i ndershëm me veten tënde së pari, ia mbërrin.”
Bashkëshorti dhe i biri janë arkitektë, por Kodheli shprehet se të birit nuk ia ka ushqyer idenë e një karriere politike. “Në familjen time politika nuk është një sport që zhvillohet. Është pothuajse një tabu. Ka pak televizione në debat, ka pak gazeta, ka pak informacion që vjen nga unë. Unë nuk kam çuar asnjë diskurs politik në shtëpi. Shtëpia është shumë e shenjtë për t’u nakatosur me politikën. Qëndron shumë më lart. Unë kam hyrë në këtë ndeshje me mbështetjen e familjes por pa e involvuar atë. Familja nuk është asgjëkundi kur sheh Mimin politikane.”
Mimi Kodheli hyri zyrtarisht në politikë në vitin 2002, kohë kur mbante postin e nënkryetares së Bashkisë së Tiranës. Këtë periudhë e konsideron si më sfiduesen të karrierës. “Kjo periudhë ka qenë një ‘breaking point’, një moment kur janë thyer disa tabu dhe mentalitete. Kisha pak kohë që isha kthyer nga jashtë. Kur e kam parë Tiranën time ku isha lindur dhe isha rritur të zhbërë dhe nuk e njihja më, mendova që ky mund të jetë tranzicion por nuk është më një kryeqytet europian. Ishin fillimet e Edi Ramës si kryetar bashkie. E bëmë këtë qytet. Problemi nuk ishte sa u pastrua Lana dhe sa u zgjeruan rrugët. Ne ndryshuam mentalitetin që është më i vështirë, dhe u kthye shpresa që mund të rrihet në kryeqytet dhe gjërat mund të bëheshin.”
Kodheli është gruaja e parë në postin e ministres së Mbrojtjes. Por a ka qenë pengesë të qenit grua në një fushë të dominuar nga burrat? “Nuk ka qenë asnjëherë pengesë fakti që kam qenë vajzë ose grua. As kur kam qenë e re, dhe jo më në këtë moshë që jam. As nuk jam paragjykuar. Mendoj që në perceptimin publik konsiderohem si grua e hekurt. Unë si drejtuese jam kërkuese. Nuk e di nëse kjo të bën të meritosh të qenit një grua e hekurt. Unë jam një njeri prej mishi dhe kocke, si çdo njeri, me të gjitha debulesat dhe virtytet. Të kërkuarit në punë, duke qenë vetë një njeri që punon shumë në orë të zgjatura dhe në intensitet të lartë, mendoj që jam konceptuar si një njeri që mund ta bëja patjetër dhe ministren e Mbrojtjes.”
Kodheli shprehet se të qenit një grua e fortë e ka ndihmuar sidomos gjatë periudhave të fushatave. “Në disa zona të Shqipërisë duhet të tregosh anën e hekurt dhe burrërore. Shpeshherë vlerat e tua si grua dhe krijesë delikate, shoqëria maskiliste shqiptare t’i merr për dobësi. Prandaj duhet t’i fshehësh, jo të vësh maskë, por të tregosh anën e fortë të karakterit. Për shembull shkon në një mjedis burrash, dhe ti nuk ha tortë por kërkon raki dhe kjo të vë në një emërues të përbashkët, pa hapur ende gojën.”
Thuhet se një grua e fortë nuk është ajo që nuk qan, por ajo që fshin lotët dhe gjen forcën për t’u ngritur. Kodheli rrëfen se nuk i ndodh shpesh të qajë. “E qara është shumë humane dhe vetëm dobësi nuk tregon. Nuk qaj shpesh. Për herë të fundit kam qarë dje për një arsye krejt personale. Besimi nuk duhet humbur. Ai e bën njeriun të fortë dhe me shpresë. Besoj në Zot, jam një besimtare e mirë. Besoj dhe te familja e shenjtë. Familja është absolutisht qeliza më e rëndësishme e qelizës tënde trupore. Nga aty nis gjithçka.”