Menaxheri i artistëve që u bë këngëtar, Mik: Klipi i parë me 300 dollarët e fundit që kisha

Menaxheri i artistëve që u bë këngëtar, Mik: Klipi i parë me 300 dollarët e fundit që kisha

Mikail Naska ose Mik është një nga emrat e rinj të muzikës Hip Hop në Shqipëri. Mik është nga Tirana por ka lindur në Greqi. Ka jetuar atje deri në moshëm 15-vjeçare. Më pas është shpërngulur drejt SHBA ku edhe jeton prej 12 vjetësh. I ftuar në emisionin “Në radio”, këngëtari tregon se përshtatja në një vend të huaj ka qenë e vështirë. “Mund të kesh vështirësi, por me vullnet arrin atë që do. Shumë njerëz nuk kanë dashur të më shohin në këtë rrugë, disa nuk kanë besuar, disa kanë patur inat, gjithsesi unë jam këtu ku jam dhe vazhdoj përpara.”

Gjatë intervistës, Mik tregon se si nisi karriera muzikore. “Në Amerikë kam filluar që 17 vjeç të jem menaxher i disa artistëve. Duke punuar për ta, duke shkruar për ta albume dhe projekte, duke punuar fort dhe duke parë prapaskenat, vendosa të marr përsipër të bëj vetë muzikë.”

Mik po merret seriozisht me muzikën që prej tre vitesh. Këngëtari kujton një episod nga kënga e tij e parë.“Fillimet kanë qenë të vështira. Kam patur 300 dollarët e fundit në atë kohë dhe klipi kushtonte 300 dollarë. Një shok imi më tha që je i çmendur që 300 dollarët e fundit do i hedhësh për një klip. Prej kësaj videoje më ka ardhur frymëzimi që të vazhdoj më tej. Kur kam parë reagimin e njerëzve pas këtij videoklipi thashë që gjithçka ia vlejti.”

Mik numëron disa këngë në repertorin e tij. Më e fundit ështëkënga “Shumë e thjeshtë” publikuar vetëm pak ditë më parë. Ai i shkruan vetë këngët e tij. “Çdo këngë e kam shkruar vetë që prej fillimit. Kam shkruar edhe për artistë të tjerë, madjenë gjuhë të ndryshme sepse unë flas katër gjuhë të huaja.”

I pyetur se si e vlerëson muzikën që bëhet në Shqipëri e Kosovë, Mik shprehet se mungon origjinaliteti. “Muzika që bëhet këtu është njësoj. Edhe videoklipet janë kopje të atyre që bëhen jashtë. Ndaj kam dashur të sjell diçka të re dhe shpresoj të pëlqehet. Përpiqem të eci me kohën.S’dua të tregohem mendjemadh por në vitet e ardhshme, pse jo që tani, besoj se do mbaj një peshë akoma më të madhe në muzikën që bëhet në vendin tonë. Koha do e tregojë.”

Në lidhje me artistët shqiptarë që pëlqen më shumë, Mik përgjigjet: “Young Zerka, të cilin e njoh personalisht, vazhdon të më shokojë. Noizy më pëlqen shumë, edhe Mozzik gjithashtu.” Por me cilat këngëtare do të kishte zgjedhur të bashkëpunonte? Ai përmend Melindën, Tayna-n, Kidën dhe Dafinën.

Planet e tij për të ardhmen janë që të kthehet në Shqipëri dhe të sjellë shumë projekte muzikore.“Besoj se kam udhëtuar shumë, kam parë shumë qytete. Nuk ka si Tirana, pastërtia, njerëzit, koha, ushqimi, është mrekulli. Në muzikë do lançoj nga një këngë të re çdo muaj, dhe dy videoklipe gjatë verës.”

Radio