Luan Rama, historia e vërtetë që frymëzoi romanin "Një mungesë e gjatë"

Luan Rama, historia e vërtetë që frymëzoi romanin "Një mungesë e gjatë"

Shkrimtari dhe diplomati Luan Rama ishte sot i ftuari i gazetarit Andri Xhahu në emisionin “Në radio”. Me ftesë nga Aleanca Franceze në Korçë dhe Shkodër, shkrimtari ishte pjesë e takimeve ku u bisedua për frankofoninë. Rama është autor i librit “Shqipëria frankofone” botuar në vitin 2001 si dhe i shumë librave në gjuhën frënge. Gjithashtu ka qenë përfaqësuesi i kryetarit të shtetit në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë.

“Shqipëria ka një traditë shumë të vjetër me frankofoninë që nga Lufta e Parë Botërore, Liceu Francez i Korçës, dhe gjithë elita shqiptare e cila studioi në Universitetet e Francës, në Montpelje, Lion e Paris. Ishte një elitë që la gjurmët e veta në zhvillimet shqiptare në fushën e fizikës, matematikës, minierave, mjekësisë, etj. Ishte një elitë që i shërbeu vendit por edhe u godit nga sistemi politik.”

Në këto takime u fol gjithashtu edhe për librin e fundit të Ramës, “Një mungesë e gjatë”, botuar në vitin 2021. Me historinë që frymëzoi subjektin e romanit, shkrimtari u njoh gjatë kohës që përkthente një libër të një koloneli francez, i cili më pas kishte qenë guvernator i Korçës.

“Ishte një letër që koloneli francez në llogore ia dërgonte gruas së tij në të cilën i tregonte një ngjarje që e kishte tronditur. Gjatë një patrullimi në malet e Korçës, papritur gjen gjashtë kufoma të një patrulle austriake, të cilët kishin ngrirë gjatë dimrit. I prekur nga ajo që pa, I varrosi me nderim ushtarak. Edhe pse kishin qenë armiqtë e tij, ata nuk u vranë në luftë por i gjeti të vdekur, dhe ky akt human u qortua nga eprorët e tij. Mua më pëlqeu shumë kjo histori dhe shkrova një roman të tërë me linja të tjera duke futur brenda dhe fiksionin artistik.”

I pyetur se pavarësisht periudhave të ndryshme historike, a ngjajnë luftrat dje dhe sot? Rama përgjigjet duke na zbuluar një detaj nga romani.

“Në fund të librit krijoj një takim mes kolonelit francez dhe konsullit austriak, i cili në kohën e luftës çuditërisht kishte qenë në anën tjetër të barrikadës. Kishin qënë armiq me njëri-tjetrin. Ata bëjnë një bisedë interesante dhe arrijnë në konkluzionin se lufta është e tmerrshme, shkatërrimi i jetës normale dhe i dashurive. Lufta është mes gjeneralëve dhe politikanëve, nuk është luftë e popujve. Kështu ndodh edhe me luftën që bëhet sot në Ukrainë. Lufta është shkatërrimtare dhe paqja duhet mbrojtur me çdo kusht.”

 

Radio