Jeta në Gjermani e Hana Cakulit. Çfarë mendon për muzikën sot dhe kolegët Capital T dhe Eneda Tarifa

Jeta në Gjermani e Hana Cakulit. Çfarë mendon për muzikën sot dhe kolegët Capital T dhe Eneda Tarifa

Hana Cakuli është këngëtarja, e cila me zërin e saj të ëmbël, bëri për vete publikun shqiptar që në prezantimin e parë në vitin 2006. Në vitet kur ishte aktive në muzikë, artistja nga Ulqini u prezantua me shumë hite. “U shërova”, “Çka do t’ju themi nënave”, “Unë vendos” apo “Simbol” janë disa nga këngët që mbahen mend edhe sot.

Në një intervistë për gazetarin Andri Xhahu në emisionin “Në radio”, Cakuli flet për jetën në Mynih dhe angazhimin në muzikë.

Ndonëse jo shumë e pranishme në tregun muzikor shqiptar me produksione të reja, në Gjermani ajo ka formuar grupin e saj Uni Beat. “Është një koncept tjetër i muzikës, bëj covers, kemi evente të firmave të ndryshme, kokteje apo dasma, të cilat në rast se janë mes një të huaji dhe shqiptari, performoj me bendin tim dhe e kombinoj me muzikën shqiptare.”

Megjithatë angazhimi kryesor është profesioni për të cilin ka studiuar. “Kam studiuar për menaxhim. Studimet që kam kryer kanë të bëjnë me çështjet e konsumatorëve, me marketingun dhe metodat hulumtuese. Punoj me projekte të ndryshme të shërbimeve Cloud në Amazon Web Services.” Profesioni e ka ndihmuar që në muzikë të ketë mundësi të zgjedhë dhe të mos detyrohet të këndojë këngë që nuk i pëlqejnë.

E pyetur për arsyet e tërheqjes disi nga muzika, Cakuli përgjigjet: “Arsyeja pse unë apo dhe shumë artistë të tjerë që janë tërhequr është se muzika kërkon shumë investim, por në fund tregu shqiptar nuk të ofron fitim për muzikën e mirëfilltë shqiptare. Edhe kur kam qenë aktive, jam shfaqur më rrallë sepse jam siguruar që të bëj dicka që së pari të më pëlqejë mua si artiste dhe publiku ta shijojë si këngë të bukur. Jam pro kualitetit sesa kuantitetit. Kjo nuk do të thotë se do të tërhiqem, vazhdoj bëj muzikë dhe gjithmonë e kam në mendje që të kthehem më shpesh në tregun shqiptar.” 

E pyetur se çfarë mendon për muzikën shqiptare që bëhet sot, këngëtarja shprehet se ka më shumë muzikë bazuar në trende sesa origjinalitet. “Ka ende artistë që i vlerësoj shumë, pavarësisht të gjithë këtij fluksi të artistëve që bëjnë muzikë tendencioze sesa individuale, në të cilat artisti të dëgjojë veten se çfarë do të përcjellë te publiku. Shpesh duan të arrijnë një zhanër që është i suksesshëm sot në tregun botëror të muzikës. E respektoj këtë tendencë si në tregun muzikor në botë, ashtu dhe në atë shqiptar dhe kosovar. Janë ata që bëjnë rininë nëpër klube të kërcejnë, që bëjnë koncerte më shumë dhe në fund fitojnë më shumë.”

Mes artistëve shqiptarë, Cakuli ka dhe të preferuarit e saj. “Vlashent Sata është një artist që e vlerësoj shumë dhe mendoj se bën muzikë fantastike. Vazhdon të mbajë koncerte dhe e përgëzoj për këtë se nuk është e lehtë. Në një zhanër krejt tjetër është Capital T, një reper i shkëlqyer dhe unik. Ai bën standardin e repit në mbarë Shqiptarinë. Genc Salihun e veçoj gjithashtu si dhe grupin Jericho me vokalistin Petrit Çarkaxhiu.” Nëse do të zgjidhte një këngëtar për të bashkëpunuar, edhe për këtë ajo e ka një emër. “Mund të them që nëse zgjedh nga muzika pop, më pëlqen Eneda Tarifa.”

Hana Cakuli ka nisur të këndojë që herët. “Që e vogël më ka pëlqyer të këndoj dhe kam performuar përpara familjes. I detyroja  të më shikonin, dilja para televizorit. Ata nuk mundeshin të shikonin televizor por duhet të më dëgjonin mua.”

Talentin ia pikasën mësuesit e muzikës në shkollën fillore. “Kam marrë pjesë në evente të shkollës dhe më vonë kam punuar me muzikantë nga Ulqini. Ulqini është një qytet i vogël dhe nuk ka mundësi të mëdha. Në fillim kam bashkëpunuar me Genti Lakon me këngët e para, “Natën kaloje me ne” dhe “Mendoj të fluturoj”, videoklipi im i parë. Kam eksploruar me produecentë të ndryshëm.”

Cakuli tregon se talentin e ka të trashëguar. “Kam mjaft familjarë, sidomos nga ana e mamit, që janë muzikantë. Mamin e kam nga Prishtina. Është familja Macula, Fatoni është kitarist, i cili jeton në Amerikë. Janë edhe instrumentistë të tjerë të familjës që janë pjesë e bendit të RTK-së. Po kështu aktori dhe këngëtari Abdurrahman Shala, xhaxhai i mamit.”

Arsyet e largimit drejt Gjermanisë ishin studimet master por edhe lidhja me atë që sot është bashkëshorti i saj. “Kemi dy vajza binjake. Ka qenë e vështirë sepse kanë lindur para kohe, por gjithçka ka kaluar dhe tashmë kanë filluar shkollën. Njëra është vazja e mamit dhe tjetra vajza e babit. Të dyja këndojnë dhe kërcejnë me qejf dhe ushtrojmë bashkë ndërsa bashkëshorti i bie kitarës. Duam t’ia përcjellim muzikën por jo me forcë, sepse nuk kemi qejf që nëse nuk e kanë dëshirë t’i shtyjmë patjetër që të merren më muzikë.”

Kënga më e fundit që Hana Cakuli ka prezantuar për publikun titullohet “Përjetë”, e prezantuar më shumë se një vit më parë, ndërsa premton se shumë shpejt do të vijë me një krijim të ri muzikor.

Radio