E rrallë: Pacienti shqiptar në Londër me zemrën në krahun e djathtë dhe organet e barkut në të majtë

E rrallë: Pacienti shqiptar në Londër me zemrën në krahun e djathtë dhe organet e barkut në të majtë

Kardiokirurgu Kristo Papa në një intervistë për emisionin “Në radio” të gazetarit Andri Xhahu foli për një rast të rrallë të hasur gjatë punës së tij si mjek në Londër. Bëhet fjalë për një pacient shqiptar, zemra e të cilit ndodhet në krahun e djathtë të kraharorit. “Gjatë ekzaminimit të pacientit, nuk po e dëgjoja zemrën në krahun e majtë të kraharorit, por në anën e djathtë.” – shpjegon Papa. “I bëra një ekografi dhe elektrokardiogramë dhe konstatova që kishte një dekstrokardi inverse, pra zemra e vendosur në anën e djathtë të kraharorit.”

Ajo që e bën të rrallë këtë rast është fakti se edhe organet e tjera pacienti i ka të pozicionuar në anën e kundërt. “Pasi i bëra dhe një ekografi të barkut, zbulova se organet ishin në anën e majtë, pra të dyja veshkat majtas, mëlçia gjithashtu majtas. Është një rast i veçantë.”

I pyetur se çfarë problemesh shëndetësore mund të sjellë një patologji e tillë, kardiokirurgu Papa shprehet: “Kjo patologji mund të sjellë komplikacione në të ardhmen, ndaj pacienti duhet të jetë në një survejim aktiv. Është një situatë e paparashikeshme, që mund të ndryshojë me sekonda. Çfarë mund të sjellë shqetësime janë përmasat e ventrikulit të majtë (barkushja e majtë), e cila te pacienti ka një enjtje të madhe. Nëse ka një rritje të muskulit të zemrës mbi normalen, kjo e fundit mund të mos kryejë funksionin e qarkullimit të gjakut. Asnjëherë nuk mund ta parashikosh. Për këtë arsye pacienti duhet të jetë nën kontrollin dhe mbikqyrjen e mjekëve.”

Kjo patologji mund të kërkojë një ndërhyrje që për mjekun dhe pacientin është një sfidë. “Mund të lindë nevoja e një operacioni të vështirë siç është transplantimi i zemrës që për ne kirurgët është një sfidë shumë e madhe. Nuk është një operacion i lehtë as për pacientët. Duhet një kirurg me eksperiencë që të njohë mirë anatominë kongjenitale.”

Kristo Papa është mjek në Londër. Aktivitetin e tij e ka të shtrirë më gjerë deri në Itali, Greqi, Zvicër dhe në SHBA ku është profesor në Universitetin e Harvardit. Papa është treguar i disponueshëm veçanërisht për komunitetin shqiptar. Rasti në fjalë i të riut shqiptar për mjekun është më i veçanti. “Ky është një rast unikal. Në 14 vjet punë si mjek kirurg çdo rast studiohet në mënyrë të veçantë. Rastet mund të ngjajnë por s’do të thotë se janë të njëjta.”

Radio