"Pengu” i Ermira Babaliut për Pogradecin dhe “trishtimi" për Korçën

"Pengu” i Ermira Babaliut për Pogradecin dhe “trishtimi" për Korçën

Ermira Babaliu është një nga emrat më të njohur të muzikës së lehtë shqiptare dhe serenatave. Artistja ishte e ftuara e Andri Xhahut në emisionin “Në radio” për një rrugëtim në karrierën e saj muzikore. Publiku i gjerë e njeh Babaliun përmes këngëve “Çfarë t’ju them unë shoqeve”, “Një jetë nga jeta ime” apo dhe “E njëjta ëndërr”. Duke u ndalur te kjo e fundit, me të cilën këngëtarja u prezantua në Festivalin e Këngës në RTSH në vitin 1994, gjatë intervistës ajo përlotet. “Arsyeja që u preka është se kjo këngë është ndër më të realizuarat, një nga këngët e mia më të arrira, e kompletuar artistikisht. Një kombinim i krijuesit Ilir Dangëllia dhe fjalëve të Irma Kurtit. Më pas unë ika.” Në vitin 1996 Ermira Babaliu largohet nga Shqipëria drejt SHBA, ku vijon të jetojë.   

Ajo ka marrë titullin “Qytetar nderi” në qytetin e Pogradecit ku u rrit. “Jam shumë e nderuar që kam këtë titull por më bën edhe me më shumë përgjegjësi. Duhen bërë disa këngë për Pogradecin që më ka rritur, edhe pse kam lindur në Korçë. Më duket sikur nuk kam bërë aq sa duhet dhe është koha që në formën time të mundem të sjell diçka. Kam menduar për një projekt me këngë për Pogradecin, për liqenin.”

Por Babaliu shprehet me trishtim që qyteti i saj i lindjes, Korça, nuk i ka dhënë vëmendjen e merituar. “Kam një trishtim të vogël, që Korça, flas për pjesën e institucioneve, nuk e ka menduar ndonjëherë të më bëjë ndonjë ftesë. Nuk ankohem por ka ardhur koha që duhen thënë gjërat. Asnjë ftesë për ndonjë koncert recital. Kush nuk ka mbetur pa shkuar në Korçë.”

E pyetur se si e shikon muzikën që realizohet sot nga të rinjtë në vendin tonë, këngëtarja thotë se ka këngë të bukura por ajo që mungon është mesazhi i tyre. “Koha bën të vetën. Tani është trendi i teknologjisë. Kënga reziston kur i ka të gjitha bashkë, mesazhin, tingullin dhe talentin e interpretuesit. Ka këngëtarë të mirë, për shembull Alban Skënderaj apo Elvana Gjata në një pjesë të mirë të këngëve të saj. E gjithë bota e bën këtë, krijon edhe këngën e vërtetë dhe një këngë marketi. Për mendimin tim në një showbiz kaq të egër, duhet ruajtur kualiteti por ndërkohë duhet të futesh në një formë ose tjetër në treg sepse të nxjerrin jashtë. Unë ngul këmbë, kryesorja është që tregu duhet ushqyer ashtu siç i duhet për t’u rritur, por jo të bësh bukën që kërkon ai që do ta blejë, por ta mësosh atë që buka të cilën i server ti është më e shëndetshme.”

Ermira Babaliu gjendet këto ditë në Tiranë sepse do të jetë pjesë e koncertit recital me krijimtarinë ndër vite të kompozitorit Flamur Shehu. Kënga “Një jetë nga jeta ime” është e kompozitorit Shehu, e interpretuar nga Babaliu në Festivalin e 26-të të Këngës në RTSH. “Ky bashkëpunim më ka nderuar. Kam respekt të jashtëzakonshëm për Flamur Shehun dhe tërë krijimtarinë e tij.”

Kjo këngë ka dhe një histori pas saj. “Në atë kohë ishim shumë të lumtur që për herë të parë në një monitor të madh jepeshin drejtpërdrejt pikët. Në ekran doli që ne morëm numrin më të madh të pikëve, por fituam çmim të dytë. Siç bëhej atëherë, që shtohen pikët në prapaskenë dhe fitojnë ata që kanë më shumë fuqi.”

Radio