"A jam rrit?", Rea Nuhu i këndon dashurisë së përfunduar

"A jam rrit?", Rea Nuhu i këndon dashurisë së përfunduar

Këngëtarja Rea Nuhu sapo ka prezantuar projektin e ri muzikor “A jam rrit”. Në intervistën e saj të parë për këtë këngë dhënë sot në emisionin “Në radio” të gazetarit Andri Xhahu, Nuhu zbulon detaje nga krijimi i kësaj kënge.

“Ky projekt ka lindur një vit më parë. Tekstin e kam shkruar vetë dhe është kompozuar nga kushërira ime Grace Kozeli. Gjithçka nisi rastësisht në studio, në orën tre të mëngjesit, dhe thamë pse të mos krijojmë një gjë të bukur.

 Ishte një përiudhë e vështirë për mua sepse kënga është personale, një dedikim për dikë. Një histori e imja që ka mbaruar. Na pëlqeu sepse ia dola të shprehja emocionet dhe ndjenjat e mia në tekst.”

“A jam rrit” është një baladë e rrymës R’n’B, e cila ka dhe një të veçantë. “Kënga ka një thyerje me klarinetë që risjell disi këngën “Tumankuqe”, meqë vetë unë jam çame dhe historia për të cilën flet kënga është një histori çame.” – shprehet këngëtarja.

Gjatë intervistës Nuhu zbuloi se ka shumë këngë demo që pret t’i publikojë, mes tyre dhe duete. Ajo thotë se këtë vit mund të jetë pjesë e Festivalit të Këngës në RTSH.

Rea Nuhu është një këngëtare e re, e cila ka nisur të këndojë që e vogël. Ka marrë pjesë në spektaklin e talenteve “The Voice Kids” dhe më pas te “Gjeniu i vogël 6” ku u rendit e dyta. Ka dy bashkëpunime me këngëtarin Kastro Zizo dhe ka marrë pjesë në festivale të ndryshme muzikore. Ajo është mjaft aktive në skenën e muzikës “live”.

 

Radio