"Unë dhe e drejta ligjore" në shërbim të publikut

"Unë dhe e drejta ligjore" në shërbim të publikut

Çdo ditë  për 30 minuta nga e hëna në të premte,  në orën 17.30, Radio Tirana ofron për dëgjuesin konsulencë ligjore falas në emisionin“Unë dhe e drejta ligjore”. Eksperti ligjor, Av. Kondi Ilia dhe gazetarja Blerina  Hamzollari të ftuar sot në “Mirëmëngjes Shqipëri”, treguan eksperiencat e rasteve ardhur nga dëgjuesi në këtë program, që lindi si rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme të Radio Tiranës për të mbështetur qytetarët dhe zërin e tyre. Qëllimi i këtij programi është të mbështesim sa më shumë njerëzit në nevojë juridike dhe jo vetëm. Njohuritë mbi ligjin dhe edukimi ligjor i qytetarëve, luajnë një rol thelbësor në çdo shoqëri demokratike ku sjellja, veprimet dhe marrëdhëniet mes tyre disiplinohen nga norma e rregulla ligjore. Këto norma e rregulla janë ndonjëherë komplekse apo u nënshtrohen ndryshimeve të vazhdueshme. Mungesa e njohurive ose njohuritë e pamjaftueshme mbi ligjin dhe legjislacionin në përgjithësi, sjellin situata ku qytetarët nuk kuptojnë të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin prej tyre. Për më tepër, e gjitha kjo rrënjos një kulturë të mosrespektimit dhe moszbatimit të ligjit në shoqëri, e cila përbën një kërcënim të qenësishëm për shtetin e së drejtës. Ky format me fokus qytetarin dhe të gjitha nevojat ligjore të tij mbi të drejtat dhe detyrimet ndaj vetes dhe ndaj shtetit, mirëpret direkt  në studio shqetësimin e qytetarëve. E tashmë kemi zëra falenderues pafund nga dëgjuesit të cilët besuan tek ne shqetësimin e tyre. Temat që përzgjedhim me avokatin në studio, sensibilizojnë dhe orentojnë shtetasit për te ligji dhe e drejta. Ndjekja e problemit në çdo institucion derisa të marrë zgjidhje për telefonuesit që kanë raste të vështira, nëpërmjet këshilltarëve për media në institucione të ndryshme, dhe trajtimi i rasteve do të thotë mirëfilli shërbim publik, shprehen ndër të tjera dy realizuesit e programit gazetarja Hamzollari dhe Av.Kondi Ilia në “Mirëmëngjes Shqipëri”. Informimi dhe dhënia e njohurive për ligjin, mbi të drejtat, institucionet ligjzbatuese, përgjegjësitë, etj, janë përbërësit e kulturës dhe nevojës qytetare për qasjen ndaj shtetit të së drejtës.

 

 

Radio