"NË RADIO" - Marsela Likaj: "Historia e vërtetë e Christiane Felscherinow-it që tronditi Gjermaninë e viteve '70"

"NË RADIO" - Marsela Likaj: "Historia e vërtetë e Christiane Felscherinow-it që tronditi Gjermaninë e viteve '70"

Vjen në shqip romani-dokument “Në, fëmijët e kopshtit zoologjik të Berlinit”. Në një intervistë në emisionin “Në radio”, përkthyesja Marsela Likaj tregon më shumë detaje nga libri autobiografik i Christiane Vera Felscherinow. “Ky libër është shkruar nga gazetarët gjermanë K. Hermann dhe H. Rieck. Në fund të viteve 1970 ata trajtuan temën e drogës dhe ndikimin që pati te të rinjë. Deri atëherë një temë tabu në Gjermani dhe në shumë vende të tjera. Ata guxuan ta bënin këtë studim dhe ndeshën në dosjen e Kristianës. E morën në pyetje për ta pasur pjesë të studimit por historia ishte aq interesante sa i përfshiu. Nga dy orë, komunikimi zgjati me ditë dhe javë të tëra deri sa arriti në variantin e një libri.”

Libri nis me fëmijërinë e vështirë të protagonistes, e rritur në një familje me një baba të dhunshëm dhe një nënë të paaftë për ta mbrojtur. “Familja ka një rol kryesor, madje një rol vendimtar. Është një familje, e cila ballafaqohet me problematika shoqërore. Një baba që degjeneron në dhunë. Nuk është një baba për t’u parë me tone të errëta sepse atë e vë jeta përfund, bëhet baba në kohën që kishte ëndrra për t’u bërë dikush ne jetë duke i tronditur të ardhmen. Problemet në çift çuan në divorc dhe kjo ndikoi te fëmijët.”

Në moshën trembëdhjetëvjeçare, Kristiana provon për herë të parë alkoolin, hashashin dhe LSD-në. Që Kristiana do të bëhet pre dhe e varur nga heroina ndihet qysh në faqet e para të librit dhe ndjesia e diçkaje tragjike dhe të pashmangshme mbizotëron në çdo fjalë të sajën. “Kristiana, në vitet e hershme të adoleshencës nis kontaktin me drogën. Bëhet pjesë e një shoqërie të tillë, të rinj që vinin nga familje me problematika sociale. Kalon disa vite në këtë situatë. Nga një drogë më e lehtë kalon tek ato më të fortat. Një kalvar i gjatë rrëfimi se si ajo do të shpëtojë nga droga por e ka të pamundur.”

Libri u botua për herë të parë më 1979. Romani ngjalli reagime të shumta në të gjithë botën, për shkak të moshës shumë të re të protagonistëve të përfshirë në xhiron e varësisë nga droga dhe në prostitucion. “Ishin fillimet e pranimit të fenomenit. Dalja e librit e nxorri në pah fenomenin me të gjitha problematikat, nga familja, shkolla dhe deri te strukturat shtetërore. Sjellja në pah e fenomenit nga dy gazetarët dhe pranimi nga shoqëria bëri që vëmendja e shtetit te rritej dhe të forcoheheshin strukturat për të qenë të gatshëm t’u vinin në ndihmë të rinjve.”  

Radio